Projekti:

URAN KOSTRECI - Trashëgimia e lirisë

Data:

22 Dhjetor 2025

Vendi:

HOTEL TIRANA INTERNATIONAL
Uran Kostreci – Trashëgimia e Lirisë
U zhvillua takimi kulturor dhe letrar kushtuar Uran Kostrecit, i organizuar nga TePerndjekurit.al, me mbështetjen e Institutit të Integrimit të ish-të Përndjekurve Politik.
 
Takimi bëri bashkë miq, dashamirës, përfaqësues institucionesh të lidhura me çështjen e të përndjekurve politik, shoqata, ish-të përndjekur dhe të burgosur të regjimit komunist, politikan, si dhe një përfaqësuese të Misionit të OSBE-së në Shqipëri, duke krijuar një hapësirë reflektimi dhe vlerësimi për një figurë që mishëron lirinë e mendimit dhe qëndresën morale.
 
Gjatë zhvillimit të tij u shfaq një mini-dokumentar me përmbledhje nga jeta dhe veprimtaria e Uran Kostrecit, recitime vargjesh nga krijimtaria letrare, si dhe u ndanë thënie dhe fragmente nga daljet mediatike, që pasqyrojnë qartë mendimin dhe qëndrimin intelektual të autorit. Një moment i veçantë ishte edhe video-mesazhi i dërguar nga dy mbesat e z. Kostreci, të cilat, nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ndanë kujtime dhe vlerësime për figurën e tij, si një shembull frymëzimi për këdo që e ka njohur apo ka lexuar veprat e tij.
 
Në kuadër të takimit u shpërndanë gjithashtu kopje të librit “Pabesia”, ndërsa u theksua se njohja dhe vlerësimi i figurave si Uran Kostreci nuk përbën thjesht një akt kujtese, por një domosdoshmëri për ndërtimin e një shoqërie më të vetëdijshme, më të drejtë dhe më të përgjegjshme ndaj së shkuarës, në mënyrë që gabime të tilla, si instalimi i një sistemi shtypës e diktatorial në vendin tonë, të mos përsëriten më kurrë në të ardhmen.

TePerndjekurit.al – Të dedikuar për ruajtjen e kujtesës historike dhe mbrojtjen e të drejtave të ish-të përndjekurve politik në Shqipëri.

Kontakte

info@teperndjekurit.al
Rruga e Durrësit, pas Kafe “Flora”, Tiranë

Keni Pyetje? Telefononi!

+ 355 69 37 39 980

TePerndjekurit.al © 2026